E vërteta gjendet gjithmonë në thjeshtësinë e gjërave dhe jo në ngatërrimin e tyre. - Isaac Newton
18/03/2016

Cili është qëllimi i projektligjit të ri për tregtinë elektronike? 

Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike, së fundmi, ka hartuar një projektligj, për të përmirësuar kuadrin ligjor, për funksionimin e Tregtisë Elektronikë dhe Shoqërisë së Informacionit në Shqipëri, duke e përafruar atë me Direktivën nr. 2000/31/KE. Kjo nismë ligjore është në fazë diskutimi me grupet e interesit. Krahas modifikimeve të sjella në projektligj, Ministrja Harito u shpreh e hapur për të përfshirë në ndryshimet ligjore, propozimet konkrete që do të vijnë nga vetë operatorët e fushës.

Në relacionin shpjegues të projektligjit thuhet se: zhvillimet teknologjike, rritja e përdorimit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, e bëjnë gjithnjë e më të nevojshëm kuptimin e qartë të shërbimeve dhe veprimtarive që rregullohen nga Ligji nr. 10128 datë 11.5.2009. Gjithashtu, thuhet se shërbimet e shoqërisë së informacionit, mbulojnë një gamë të gjerë veprimtarish ekonomike dhe shërbimesh që kanë tre karakteristika: ofrohen përmes mjeteve elektronike, ofrohen në distancë dhe kundrejt kërkesës së marrësit të këtyre shërbimeve. Në fund, në relacionin shpjegues thuhet se kërkesa për përafrimin e legjislacionit në këtë fushë është pjesë e angazhimeve që rrjedhin nga MSA në nenin 102 të saj.

Cili është kuadri ligjor egzistues mbi TIK?

Në Shqipëri, aktualisht ekziston një kuadër ligjor mbi TIK (Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit) dhe tregtinë elektronike, që bazohet te:

-Ligji Nr. 9918, datë 19.5.2008 për komunikimet elektronike.

-Ligji për median audiovizive nr. 97/2013.

-Ligji nr. 10128, datë 11.5.2009, për tregtinë elektronike.

-Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.

-Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të.

-Legjislacioni për krimin kibernetik: dispozita te Kodit Penal/Konventa nr.185 CoE.

Cili ligj preket nga ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri dhe kush janë ato?

Sipas Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike, ndryshimet e propozuara në projektligj synojnë të sjellin disa modifikime në ligjin nr. 10128, datë 11.5.2009, për:

-ndryshimin e titullit, duke qartësuar se ky nuk është thjesht një ligj për tregtinë elektronike por edhe për shërbimet e shoqërisë së informacionit;

-qartësimin e detyrimit të portaleve online (ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit) për të pasur një pikë kontakti të identifikuar;

-vendosjen e rubrikës së raportimit për lajmet apo komentet me përmbajtje të paligjshme, në të cilin lexuesit e portalit mund të sinjalizojnë për materiale apo komente me përmbajtje të jashtëligjshme.

-vendosjen e një afati 48 orësh brenda së cilës portalet duhet të bëjnë çaktivizimin e komenteve me përmbajtje të paligjshme, raciste apo ksenofobe  nga momenti që ato marrin dijeni sipas përcaktimeve të Kodit Penal dhe atij Civil.

-Përcaktimin e organeve mbikëqyrëse të zbatimit të këtij ligji, që në kohën kur ai ishte miratuar në vitin 2009 nuk ekzistonin, si ALCIRT, sektori i krimit kibernetik në polici etj.

Ky projektligj rrit ndikimin e Qeverisë apo Politikës ndaj portaleve online?

Ky projektligj nuk prek autonominë e portaleve në publikimin e informacionit, por i detyron ato të marrin parasysh raportimet për lajmet apo komentet me përmbajtje të paligjshme dhe, si rrjedhim, të marrin masa deri në eliminimin apo çaktivizimin e tyre.

Do të ndëshkohen shpifjet apo jo?

Sipas projektligjit të ri parashikohen masa administrative nëse nuk kryhen veprimet e mëposhtme të parashikuara në nenin 7 të tij:

i. brenda 24 orëve nga marrja e vendimit të gjykatës apo kërkesës së autoritetit përgjegjës, ofruesi i shërbimit heq ose çaktivizon aksesin në informacion;

ii. brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit nga një palë e cënuar, ofruesi i shërbimit përcjell njoftimin tek autoritetet përgjegjëse, sipas pikës 2 të nenit 20 të këtij ligji dhe çaktivizon aksesin në informacion, deri në marrjen e vendimit nga autoriteti përgjegjës. Me marrjen e vendimit nga autoriteti përgjegjës apo gjykata, ofruesi i shërbimit rikthen aksesin apo heq përmbajtjen sipas vendimit përkatës.

Çfarë ndryshime ka në krahasim me rregullat e vëndeve të Bashkimit Europian?

Ky projektligj është hartuar në përputhje me direktivën nr. 2000/31/KE. Si rrjedhim, nuk ka ndryshime me rregullat e vëndeve të tjera të Bashkimit Europian.

Portalet që trajtojnë lajme dhe informacione do ti referohen  ligjit për media, apo ligjit të ri për tregtinë elektronike?

Portalet që trajtojnë lajme dhe informacione do ti referohen projektligjit të ri, i cili përfshin jo vetëm tregtinë online por edhe shërbimet e shoqërisë së informacionit.

 

 

Keni pyetje? Na shkruani.